Manchester City tronditet në minutë të fundit nga Leeds, asiston mesfushori shqiptar

Futboll 10 Prill 2021 15:37

Leeds United ka shkaktuar befasi të madhe duke e mposhtur liderin e Ligës Premier, Manchester City.

Skuadra e trajnerit argjentinas Marcelo Bielsa ka triumfuar si mysafirë i Cityt me rezultat të ngushtë 1-2.

Pjesa e parë ishte më e qetë deri në fundin e saj, kur në minutën e 42-të mysafirët kaluan në epërsi me golin e Stuart Dallas nga distanca për 0-1.

Por në minutën e fundit të pjesës së parë, mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të mbrojtësit Liam Cooper.

Me epërsinë minimale të mysafirëve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë i takoi vendasve të cilët sulmonin pa ndërprerë, derisa në minutën e 76-të gjetën golin e barazimit 1-1 me Ferran Torres.

Gjithsesi sulmet e vendasve vazhduan edhe më tej, por në minutën e 91-të, mysafirët shënuan edhe njëherë.

Anësori shqiptar, Ezgjan Alioski bëri një asistim të bukur te Stuart Dallas i cili shënoi golin e dytë personal dhe të fitores për Leeds United.

Me këtë fitore të madhe, Leeds United ngritët në pozitën e nëntë në tabelë me 45 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë Man City vazhdon të mbetet në pozitën e parë me 74 pikë, 14 më shumë se Manchester United që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Ndeshjen e ardhshme Manchester City do ta luaj në udhëtim te Aston Villa, derisa Leeds United do të pres kampionin në fuqi të Anglisë, Liverpoolin. 

-->