Manchester United cakton çmimin për De Gea-n

Futboll 23 Shkurt 2018 10:21

Portieri spanjoll David de Gea, ishte më meritori në barazimin pa gola të ndeshjes në mes Sevilla-s dhe Manchester United në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”.

Me këtë De Gea edhe njëherë dëshmoi se është me të vërtetë njëri nga portierët më të mirë në botë, në mos edhe më i miri.

Duke e pasur parasysh këtë fakt, do të thotë se çmimi i spanjollit nuk mund të jetë i lirë, duke aluduar në interesimin që Real Madrid ka pasur për të, tash e një kohë.

Manchester United është e vetëdijshme për këtë interesim të “Los Blancos”, pasi në tentimin e kaluar për ta nënshkruar portierin spanjoll, marrëveshja dështoi vetëm në momentet e fundit të afatit kalimtar të vitit 2015.

Megjithatë “Djajtë e Kuq” dhe trajneri Jose Mourinho, nuk janë të interesuar të heqin dorë aq lehtë nga David de Gea dhe për këtë arsye kanë caktuar çmimin prej 100 milionë eurosh për gardianin spanjoll.

Përpos De Gea-s, madrilenët tash e një kohë, kanë interesim edhe për portierin belg Thibaut Courtois, dhe do të jetë me gjasë një garë e tyre, për të siguruar shërbimet e ndonjërit, përkundër që Real Madrid ende nuk ka vendosur lidhur me fatin e Keylor Navas, se a dëshirojnë ta mbajnë në “Bernabeu” apo jo.

Përndryshe, Manchester United shumë shpejt pritet që t’i ofrojë kontratë të re De Gea-s, me ç’rast përpos rritjes së pagës, do të mundohen ta mbajnë spanjollin edhe për disa vite tjera në “Old Trafford”. /Insporti.com

-->