Manchester United dhe PSG, shkëmbim lojtarësh

Futboll 16 Mars 2018 09:49

Një shkëmbim i bujshëm mund të bëhet në mes skuadrës së Manchester United dhe asaj të Paris Saint-Germain, ku përfshihen dy lojtarë të dy ekipeve, ka bërë të ditur “The Independent”.

Ndërmjetës të ndryshëm kanë nisur bisedimet për të bërë këtë shkëmbim mesfushorësh, duke parë se trajneri Jose Mourinho ka telashe me francezin Paul Pogba dhe për këtë arsye është duke u menduar një opsion që do të kënaqte të gjitha palët.

Shkëmbimi në fjalë, thuhet se mund të ndodh asi soji që Pogba të transferohet në PSG, kurse mesfushori italian Marco Verratti në drejtimin e kundërt, kjo pasi edhe italiani ka kërkuar largimin nga “Parc des Princes”.

Dihet se tanimë të dy futbollistët kanë agjentin e njëjtë, të mirënjohurin Mino Raiola dhe kjo mund ta lejojë shkëmbimin e bujshëm.

Duket se e ardhmja e Pogba-s te Manchester United është vënë në dyshim serioz, pasi Jose Mourinho po e përdor gjithnjë e më pak 24-vjeçarin dhe PSG është një nga klubet e interesuara për të marrë shërbimet e tij. Për të ulur koston e këtij transferimi, parisienët do të ishin gati të pranonin shkëmbimin me 25 vjeçarin Verratti, i cili duket se ka vendosur të mbyllë karrierën në Paris, pasi është paraqitur me ekipin francez në 234 ndeshje në Ligue 1, që nga viti 2012. /Insporti.com

-->