Manchester United – PSG, favoriti sipas bastoreve dhe gjithçka që duhet të dini rreth ndeshjes

Futboll 12 Shkurt 2019 15:42

Manchester United – PSG është super ndeshja e xhiros së 1/8-ës së finales në Ligën e Kampionëve.

Në “Old Trafford”, ‘Djajtë e Kuq’ në formë, presin Paris Saint-Germainin që kryeson bindshëm si lider në kampionatin francez.

Të ringjallur nga Ole Gunnar Solskjaeri, ‘djajtë’ futen në këtë ndeshje me vetëbesim të lartë, kur merren parasysh edhe mungesat e mëdha të Paris Saint-Germainit.

Te parisienët mungojnë Neymar, Edinson Cavani e Meunier – mungesa të cilët gjgianti anglez do të tentojë t’i shfrytëzojë.

Kush shihet si favorit në këtë ndeshje?

Fitorja eventuale e Manchester Unitedit kuotohet 2.30, barazimi kuotohet 3.60, kurse 3.20 kuotohet fitorja e Paris Saint-Germainit, sipas faqes së pasteve ‘bet365’, përcjell Insporti

Si golashënuesi i parë i PSG-së më së miri kuotohet Kylian Mbappe, kurse Romelu Lukaku shihet si favoriti për të shënuar i pari për Manchester Unitedin.

Top 5-shen e favoritëve te golashënuesit e kompletojnë Marcus Rashford, Anthony Martial e Alexis Sanchez.

Paris Saint-Germaini, që kryeson me numër të golave në Ligën e Kampionëve këtë edicion (17), çuditërisht shihen si ‘autsajderë’ në këtë ndeshje.

Mbappe, që shihet si favorit për të zhbllokuar këtë sfidë, po kalon në formë të jashtëzakonshme me 22 gola këtë sezon.

Kur u hodh shorti, PSG shihej si skuadra favorite, që dukej bindshëm më e fortë se skuadra e Jose Mourinhos në letër.

Por, transformimi që i ka bërë Ole Gunnar Solskjaer skuadrës (10 fitore dhe një barazim), ka bërë që kuotat të jenë në anën e tyre.

Kur Solskjaeri e mori drejtimin e skuadrës, Unitedi ishte 11 pikë larg vendit të katërt, kurse tani janë në top 4-she për herë të parë që nga xhiroja e parë e kampionatit.

Në anën tjetër, PSG-ja këtë muaj pësoi humbje shokuese 2:1 nga Lyoni – humbja e parë në Ligue 1 që 9 muaj.

Parisi në kampionat kryeson me 59 pikë, 10 pikë më shumë se vendi i dytë në tabelë (Lille), por ka dy ndeshje më pak të luajtura.

Në fazën e grupeve, PSG ishte në prag të eliminimit pas dy barazimeve me Napolin dhe humbjes nga Liverpooli në Anfield.

Sidoqoftë, fitorja 2 me 1 ndaj Liverpoolit dhe triumfi 4 me 1 në Serbi ndaj Crvena Zvezdas, e siguroi kualifikimin për në të tetën e finales.

Të gjithë paraardhësit e Thomas Tuchelit ishin shkarkuar për shkak të dështimeve të tyre në këtë garë, andaj gjermani do të jetë nën presion të madh për të sjellur rezultate. /Insporti.com/