Maqedonia e Veriut – Kosova, ngriten temperaturat ndërmjet tifozëve

Kombëtarja 28 Janar 2020 20:17

Një status në rrjetet sociale i “Dardanëve” të Tetovës për ndeshjen  Maqedonia e Veriut – Kosova, më 26 mars të këtij viti, ka ngritur “temepraturat” në rrjetet sociale me debate nga gjithë anët për tifo-grupet që pritet të jenë prezente në stadium.

Shkak i këtij reagimi të organizuar, siç mëson Newsport.al, është pikërisht organizimi i tifogrupeve maqedonase, të shpallura edhe ato më parë në rrjetet sociale.

Ndaj, shqiptarët e trevave të ndryshme, nuk kanë ngurruar të organizohen.

“Tifo-grupi nga Tetova, “Ballistët”, i bashkohen “Dardanëve” për ndeshjën gjysmëfinale kundër maqedonëve. Shqiptarët do pushtojnë rrugët e Shkupit, të enjtën e 26 marsit. Kosova në EURO2020” shkruajnë “Dardanët” në rrjetin e tyre social, duke ftuar gjithë tifozët të bashkohen.

Por, menjëherë aty nga komentet, shihet se edhe mes shqiptarëve krijohen ndasi. Disa pretendojnë se një grupim shqiptarësh siç janë “Shvercerat” nuk do të jenë prezentë në këtë lloj organizimi.

Disa pyesin nëse ka një deklaratë të grupimit (dhe deri tani askush nuk është shprehur publikisht), ndërsa të tjerë lënë të kuptohet se ata e kanë vendosur të mos bashkohen me dy tifogrupet.

Nga Shqipëria, as Tifozët Kuq e Zi, dhe as tifogrupe të organizuara të kampionatit shqiptar nuk janë ndjerë.

Duket se tifozët shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë po i japin “ngjyra nacionaliste” një ndeshje të rëndësishme të dy ekipeve, që luhet në kuadër të EURO 2020.

-->