Maqedonia – Kosova, mbyllet me këtë rezultat

Kombëtarja 02 Dhjetor 2018 19:39

Ka përfunduar ndeshja ndërmjet Maqedonisë e Kosovës, e cila u zhvillua në Gjevgjeli dhe ishte e vlefshme për parakualifikimet e Kampionatit Evropian të basketbollit në vitin 2021.

Maqedonia ka shënuar fitore me rezultat 78:68 dhe në këtë mënyrë Përfaqësuesja jonë i ka humbur shpresat për t’u inkuadruar në fazën e grupeve kualifikuese.

Kosova, ashtu si me Rumaninë, edhe sonte u paraqit pa asnjë lojtar të huaj, prandaj edhe ishte e pritur që do të jetë shumë vështirë për rezultat pozitiv në këtë përballje.

Megjithatë, pas përfundimit të pjesës së parë, kjo mundësi dukej më reale, pasi basketbollistët tanë pushim shkuan me vetëm minus tri pikë, 33:36.

Mirëpo, në pjesën e dytë maqedonasit e diktuan ritmin e lojës dhe vazhdimisht ishin në epërsi, e cila në momente shkonte edhe në 12 pikë.

Bojan Trajkovski me 23 pikë, Shane Wittington me 15 e Vojdan Stojanovski ishin më të merituarit për fitoren e Maqedonisë.

Në Përfaqësuesen e Kosovës më efikasi ishte Dardan Berisha me 19 pikë, Lis Shoshi i shënoi 18, ndërsa Gëzim Morina 15.