Marquez i matur para garës së radhës

Moto GP 30 Korrik 2018 21:03

Pas 3 javësh pushim, Botërori i Moto GP do të rikthehet këtë fundjavë në pistën e Brno, në Republikën Çeke, aty ku kryesuesi i kampionatit, spanjolli Marc Marquez, do të kërkojë të hedhë një tjetër hap drejt rikonfirmimit kampion bote.

Piloti i Honda ka 46 pikë avantazh karshi rivalëve (i dyti ndodhet Valentino Rossi), një epërsi e konsiderueshme në këtë moment të sezonit, por Marquez kërkon përqendrim.

“Nuk duhet të gabojmë në këto momente, të pushojmë shumë dhe të mendojmë se e kemi fituar titullin. Shumë njerëz më thonë se avantazhi është i madh, por nuk jemi ende në gjysmën e kampionatit, ndaj duhet i njëjti intensitet deri në fund”, tha Marquez.

Më tej, spanjolli i Honda shtoi: “Duhet të rinisemi me të njëjtin ritëm pas pushimeve që ta ruajmë këtë avantazh. Duhet të përpiqemi që t’i fitojmë të gjitha garat, për të mos i lejuar rivalët të afrohen dhe të shpresojnë.

Në pistën e Brno si Yamaha ashtu dhe Ducati janë paraqitur mirë, ndaj nuk do të jetë e lehtë. Kush është i dyti në renditje është rivali më i rrezikshëm, pra Rossi e më pas Vinales e Dovizioso, por në pistë mund të ndodhë gjithçka, ndaj nuk duhet asnjë nënvlerësim. Unë jam gati dhe shpresoj që motori të jetë po aq i shpejtë sa gjithnjë dhe kem besim te skuadra”, u shpreh Marc Maerquez.

-->