Marquez niset nga pole-position

Moto GP 24 Gusht 2019 17:09

Marc Marquez me Honda ka siguruar “pole position” në pistën e Silverstones, duke shënuar kohën rekord 1’58”168. Piloti spanjoll ishte më i shpejti në pistë, duke lënë pas Valentino Rossi me Yamaha. Italiani ishte mbi 4 të dhjetat më i ngadalshëm, çka tregon se Honda ishte e pakapshme gjatë provave zyrtare të vlefshme për Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe.

Vija e parë e nisjes kompletohet edhe me australianin Jack Miller me Ducati Pramac që u rendit i treti.

Francezi Fabio Quartararo, që të premten ishte lider, u rendit i katërti me Yamaha Petronas, duke lënë pas Suzuki të Alex Rins dhe motorin tjetër Yamaha të Maverick Vinales. Kjo treshe përbën edhe vijën e dytë të nisjes së garës së nesërme (starti ora 15:00).

Vështirësi për motortin Ducati, pasi Andrea Dovizioso u rendit në vendin e shtatë, me vonesë gati 6 të dhjetat më në krahasim me  Marquez, ndërsa Danilo Petrucci do ta nisë garën nga vendi i 11-të. Zhgënjen sërish Jorge Lorenzo me motorin tjetër Honda, i parafundit në provat zyrtare. Spanjolli rikthehet në pistë pas më shumë se dy muajsh, por sërish ka problem.