Marrëveshja më e madhe e një klubi italian për sponsorizim

Futboll 23 Prill 2018 15:19

Skuadra e Romës e cila arriti deri në gjysmëfinale të Champions League duke e mposhtur Barcelonën me përmbysje të rezultatit, nesër (të martën) do të takohet në ndeshjen e parë gjysmëfinale me Liverpool në “Anfield”.

Mirëpo, gjatë ditës së sotme, përmes faqes zyrtare, Roma ka konfirmuar lajmin se ka nënshkruar marrëveshje sponsorizimi me “Qatar Airways” për tri vitet e ardhshme.

Romakët këtë marrëveshje e kanë cilësuar si ndër më të mëdhatë që është nënshkruar nga një klub italian, me çka kompania “Qatar Airways” kthehet në nivelet më të larta të futbollit, duke aluduar në Ligën e Kampionëve, pasi vitin e kaluar e kishte shkëputur kontratën disa vjeçare me Barcelonën.

“Jemi të kënaqur të njoftojmë lidhur me këtë partneritet historikë në mes klubit të Romës dhe Qatar Airways, dy marka të mëdha me ambicie globale”, kishte deklaruar presidenti i “Gialloross-ëve”, James Pallotta.

“Me stadiumin e ri, punimet e të cilit do të fillojnë më vonë gjatë këtij viti dhe skuadra që arriti në gjysmëfinale të Champions League për herë të parë pas 34 viteve, janë momente emocionuese të jesh tifozë i Romës”, tha Pallotta.

Thuhet se Roma ka marrë fillimisht 40 milionë euro nga kontrata e tyre tre vjeçare me “Qatar Airways” dhe do të debuton me logon e sponsorit të ri, pikërisht në ndeshjen e nesërme (e martë) kundër Liverpool në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Përndryshe, ky është vetëm sponsori i shtatë, në historinë 90 vjeçare të klubit Roma dhe i pari që nga viti 2012. Kurse, “Qatar Airways”, është kompania e cila pesë herë është shpallur si Linja Ajrore më e mirë e vitit. /Insporti.com

-->