Martinez i mahnitur nga 32-vjeçari: Është i jashtëzakonshëm

Futboll 24 Maj 2019 11:24

Dries Mertens është pagëzuar me emrin Ciro nga tifozët e Napoli-t falë golave dhe magjive që dhuron në fushën e lojës.

Belgu ka magjepsur popullin napolitan dhe do ta bëjë akoma për shumë kohë. Është i sigurt për këtë trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, i cili i ka thurur elozhe yllit të tij.

Në një intervistë të publikuar nga “Il Mattino”, trajneri i “Djajve të Kuq” ka komentuar sezonin e sulmuesit të Napoli-t.

“Mertens mund të jetë akoma vendimtar, mosha 32 vjeç nuk është një problem për të. Është një lojtar i jashtëzakonshëm. Është në kulmin e pjekurisë së tij”, ka thënë Martinez.

“Nuk është vetëm një golashënues, di të krijojë hapësira dhe të ndërtojë aksione me shokët e skuadrës. Është shumë i zgjuar dhe çdo trajner është i lumtur të punojë me një lojtar si ai. Ka arritur të kalojë me lehtësi nga sistemi i Sarri-t tek ai i Ancelotti-t, është një lojtar kyç për Napoli-n dhe kombëtaren”./Insporti