“Mashtrimi” i Ballkanit përmes njoftimit zyrtar të klubit

Futboll 14 Janar 2021 16:45

KF Ballkani ka njoftuar se i është zhbllokuar merkatoja nga FIFA, por në atë njoftim kanë bërë një mashtrim duke thënë se futbollisti ishte në prova, madje as emrin e tij nuk e publikojnë. FIFA ia bllokoi merkaton klubit të Ballkanit për shkak të Demir Avdic, raporton Insporti.com.

Në njoftimin zyrtar të klubit në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se futbollisti ishte në prova, duke e mashtruar opinionin dhe njëkohësisht edhe demantuar vetveten.

Avdic ishte transferuar në Ballkan në vitin 2019 duke nënshkruar kontratë një vjeçare. Ai ishte prezantuar me një nga drejtorët e klubit, Arben Osmani.

Arsyeja e bllokimit të merkatos është mos kryerja e obligimeve financiare ndaj Avdicit nga ana e klubit.

Avdic ka paditur kohë më parë klubin e Ballkanit për shkak të shkëputjes së kontratës në mënyrë të njëanshme në janarin e vitit 2019. Futbollisti nga Novi Pazari e kishte dërguar lëndën në FIFA dhe e kishte fituar pas disa muajve.

Kontrata e Avdic, të cilën e kishte bërë me klubin nga Suhareka. 30 vjeçari kishte ‘firmosur’ një kontratë një vjeçare me një pagë mujore prej 900 euro, si dhe të gjitha shpenzimet e tjera të hequra.

Në këtë mënyrë lojtari pretendon t’i marrë gjithsej 10,800 euro në total, plus dëmshpërblim nga klubi për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme.

Klubi i Ballkanit është detyruar t’i paguajë 10,800 euro në total, ashtu siç ishte e precizuar në kontratë.

Kjo është konfirmuar edhe nga përfaqësuesit zyrtar të futbollistit, të cilët i kanë thënë “Gazetës Sheshi” se futbollisti kishte kontratë një vjeçare me pagë 900 euro në muaj, ndërkohë që klubi e kishte prishur atë në mënyrë të njëanshme.

Avdic ishte larguar pas vetëm 15 ditëve të kaluara te Ballkani, derisa në komunikatën e klubit thuhej se futbollisti nuk ishte në planet e trajnerit Sami Sermaxhaj.

Aktualisht ai ka ‘firmosur’ për ekipin indian Chennai City, teksa pritet të marrë gjithë paratë e pretenduara nga FC Ballkani, pasi që në të kundërtën klubi i Suharekës mbetet pa merkato.

Të martën presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, konfirmonte ekskluzivisht për Insportin se çështja e merkatos është zgjidhur.

Sipas tij, deri te bllokimi erdhi për një transferim që e kishin kryer në vitin 2019.

“Merkato na është bllokuar, por e kemi paguar dënimin. Nuk është bllokuar për shkak të portierit Rexhepi pasi ai ka qenë në prova. Jemi dënuar për shkak të një futbollisti Avdic që ka qenë para dy viteve tek ne. Kemi bërë pagesën, ka qenë shumë e vogël, tashmë kemi hapur përsëri merkaton”.

Insporti po ashtu mëson se portieri Bekim Rexhepi nuk ishte në prova. Rexhepi ishte po thuajse fubtollist i ri i Ballkanit, por për shkak të bllokimit të merkatos nuk është realizuar transferimi i tij. Tashmë, Rexhepi është kthyer te klubi i tij, KF Shkëndija. /Insporti.com/


-->