Mayweather i hap dyert UFC-së dhe refuzon revanshin e madh në ring

Sporte luftarake 11 Shkurt 2020 12:23

Një revansh i madh në ring mes boksierëve Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao nuk ka për të ndodhur kurrë.

Lajmin e ka konfirmuar menaxheri i boksierit filipinas, që ka thënë se kjo përballje e dytë mes dy ikonave të boksit nuk do të zhvillohet.

Sfida e parë mes tyre u zhvillua në maj të vitit 2015, me Mayweather që fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve, në duelin që prodhoi 500 milionë dollarë fitim për palët.

Mayweather ka konfirmuar se do të rikthehet këtë vit, por nuk ka ndërmend të zhvillojë duele të vërteta.

“Mayweather na ka kthyer përgjigje për një duel me Pacquiao, duke thënë se nuk do të përballet. Na tha se është tërhequr përfundimisht dhe se nuk do të duelojë më”, tha menaxher i boksierit filipinas për ESPN.

Duket se Mayweather ka të tjera plane për të ardhmen, siç është revanshi me Conor McGregor apo një duel në kafaz ndaj ndonjë sportisti tjetër.

Kohët e fundit, ish-boksieri amerikan ka postuar foto me presidentin e UFC-së, Dana White, duke mos e futur boksin në prioritetet e tij për 2020-ën.

-->