Mayweather në bisedime për duel në kafaz (Video)

Sporte luftarake 13 Shkurt 2018 12:24

Floyd Mayweather pas ndeshjes me Conor McGregor, kishte deklaruar se ajo do të ishte lufta e tij e fundit.

Mirëpo boksieri amerikan duket se nuk do ta zgjasë edhe aq shumë pensionimin e tij, pasi synon ti kthehet ringut, por në një formë tjetër. Mayweather pritet se do ta provoj veten e brenda kafazit të MMA, ku do ta zhvillojë revanshin me Conor McGregor, të cilin e pat mposhtur në boks.

Mayweather pas fitores ndaj McGregor, e që arriti rekordin e tij me 50 fitore pa asnjë humbje, kishte deklaruar në Gusht të vitit të kaluar se nuk do t’i kthehej më ringut. Por, duhet cekur që, nëse jo në ring, atëherë në media e rrjete sociale, Mayweather e McGregor kanë replikuar njëri me tjetrin disa herë, duke e rritur kështu tensionin edhe më shumë në ditët e fundit.

Duket se pas këtyre zhvillimeve, nuk do të ketë rrugëdalje tjetër pos të shohim edhe përballjen e dytë nga kjo dyshe, mirëpo kësaj radhe në kafazin e MMA, aty ku Conor McGregor është kampion dhe ndjehet shumë më mirë. Po ashtu, në rast të luftës fitimet monetare pritet të jenë edhe më të larta se në përballjen e para 8 muajve.

Në fakt për Mayweather në rast të rikthimit, nuk do ishte hera e parë, pasi edhe në vitin 2015 kishte deklaruar të njëjtën gjë, por para marrëveshjes të çmendur prej 300 milion dollarëve për duelin me McGregor, ishte dorëzuar dhe pranoi kthimin. E marrë parasysh që kësaj radhe, fitimet pritet të jenë edhe më të mëdha, vështirë që “Money Man” do t’i rezistoj këtij tundimi.

“A keni dëshirë të më shihni sërish në ring? Nuk e di, gjithçka mund të ndodhë. Nuk e di nëse mund të rikthehem në ring apo kafaz, por po bisedojmë për një marrëveshje që kap shifrën e 1 miliardë dollarëve. Të shohim“, ka deklaruar Floyd Mayweather. /Insporti.com

-->