Mbi një milion euro u dërguan nga UEFA dhe FIFA – në raportin e auditimit të FFK-së janë “avulluar”

Futboll 22 Prill 2021 19:08

Federata e Futbollit të Kosovës ditë më parë ka publikuar pasqyrat financiare të bërë nga kompania e auditimit “ACA” për vitin 2020. Në auditimin e publikuar nga shtëpia e futbollit të Kosovës, e cila u miratua më 8 prill në Kuvendin e Punës në formatin online, ka disa dallime me atë që kanë publikuar FIFA dhe UEFA në pasqyrat e tyre financiare, shkruan Insporti.com.

Sipas raportit auditues të FIFA-s dhe UEFA-s viti 2020 ka qenë tejet i vështirë financiarisht për ta përballur duke mos ndarë para për investime të mëdha. Në raportet e publikuara, Insporti ka hulumtuar duke gjetur se shumë e dhuruar nga FIFA dhe UEFA për investime në drejtim të FFK-së ka qenë e barabartë me zero.

No description available.
Pasqyra financiare e FIFA-s për investime, e cila tregon se FFK nuk ka pranuar para për investime

Përkundër mos dhënies së ndihmës nëpërmjet parave nga UEFA për investime, FFK ka investuar mbi një milionë euro në fusha me bari artificial (sintetike) dhe qendrën nacionale stërvitore në Hajvali.

Insporti ditë më parë ka raportuar për gjendjen e rëndë infrastrukturore të qendres nacionale në Hajvali, përkundër investimit rreth një milion euro.

Në projektin e qendrës nacionale në Hajvali, FFK ka shpenzuar saktësisht 909,811 euro, ndërsa në rregullime e zyreve të reja rreth 151,536 mijë euro. Insporti ka gjetur në raportet e UEFA-s se FFK-së i janë dërguar 600 mijë euro nga fondi i solidaritetit, ndërsa FIFA ka dërguar po ashtu shumë e njëjtë për ta mbuluar dëmet e shkaktuar nga pandemia “Covid-19”.

No description available.
Pasqyra financiare e UEFA-s e cila tregon se FFK nuk ka pranuar para për investime

Pra, një milonë e dy qind mijë euro në total ka pranuar Federata e Futbollit të Kosovës nga këto dy fonde në vitin 2020.

Megjithatë, në raportin e publikuar dhe të miratuar kjo shumë nuk është specifikuar se si është shpenzuar apo ku është investuar duke krijuar një diskrepancë të madhe në mes auditimit të FFK-së dhe UEFA e FIFA-s.

Shpenzimet në investime sipas raportit të auditimit të FFK-se

Po ashtu, FFK nuk ka shpjeguar se si janë përdorur 4,3 milionë euro për rikuperimin e dëmit të shkaktuar nga “Covid-19”, në bazë të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s më 27 prill të vitit 2020.

Fakti tjetër i rëndësishëm që nuk ëshë shpjeguar nga FFK se sa para kanë pranuar klubet nga ky fond emergjent i UEFA-s.

Një detaj interesant në auditimin e publikuar është se nuk figurojnë paratë e deponuara në BPB 1,018,000 euro, të prezantuara në raportet viteve 2018 dhe 2019 dhe nuk ka shpjegim se ku janë investuar.

Kompania “ACA” ka audituar pasqyrat financiare shoqëruese të Federatës së Futbollit e Kosovës, që përfshinë pasqyrën e pozicionit financiar më 31 dhjetor 2020, pasqyrën e të ardhurave gjithëpërfshirëse, pasqyrën e ndryshimeve në ekuitet dhe pasqyrën e rrjedhës së parasë për vitin që ka përfunduar.

FFK-ja është një organizatë joqeveritare, jopolitike dhe vullnetare sportive, e cila organizon, drejton dhe rregullon garat e futbollit në territorin e Reublikës së Kosovës.

Sipas kompanisë që ka audituar pasqyrat financiare, FFK-ja ka paraqitur drejt të gjitha çështjet materiale, pozicionin financiar më 31 dhjetor 2020 dhe përformancën e saj financiare si dhe rrjedhën e parasë për vitin që kemi lënë pas. /Insporti.com/

-->