Mbrëmë pësoi lëndim në fytyrë – mësoni më të rejat rreth gjendjes së Messit

Futboll 11 Prill 2019 09:09

Barcelona mbrëmë mori një fitore 1:0 në Old Trafford, në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, por Lionel Messi u godit në fytyrë nga Chris Smalling në pjesën e parë, ku kishte edhe gjakderdhje.

Ai ka një plagë të dukshme në sy dhe hundë, dhe kjo është shkak për shqetësim te Barcelona. Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde e pranoi se duhet të bëhen teste për shqetësimin, por se kjo do të mësohet të enjten.

“Messi nuk ishte aq rehat pas goditjes. Ne duhet ta ekzaminojmë nesër për të parë se si është. Ai është i fortë, por ka një plagë mjaft të dukshme”, deklaroi trajneri Valverde pas ndeshjes.

Barcelona nuk kishte fituar kurrë më parë në Old Trafford dhe Valverde foli edhe për këtë.

“Kur e shihni atmosferën këtu dhe skuadrën që ata kanë dhe se është Liga e Kampionëve, është shumë e vështirë të fitosh këtu”.

“Ishte një lojë e vështirë dhe e komplikuar, por kemi pasur raste të mira”.

Mendohej që Luis Suarez i tha fund periudhës pa gola, por prekja e Luke Shaw, bëri që goli të shihet si autogol.

Trajneri e mori në mbrojtje Suarezin, duke thënë se rëndësi ka ajo që lojtari jep në fushë. /