Mbyllen dy takimet e sotme në IPKO Superligën e Kosovës, këto janë rezultatet

Futboll 14 Qershor 2020 18:58

Kanë përfunduar dy takimet e fundit të javës së 24-të në IPKO Superligën e Kosovës, transmeton Insporti.

Të dy klubet nga qytetit i Gjilanit, Drita dhe Gjilani shënuan fitore relativisht të lehta në udhëtim ndaj Trepçës 89 dhe Ferizajit respektivisht.

Gjilani arriti ta mposht pa shumë probleme Ferizajn në stadiumin “Ismet Shabani”. Sfida u mbyll me rezultatin 3-0 me golat që u shënuan nga Gerhard Progoni 2’, Darko Nikac 30’, dhe Donat Kaçiu i cili vulosi rezultatin përfundimtar 3-0 në minutën e 52-të, të takimit.

Me këtë fitore Gjilani arrinë në kuotën e 45 pikëve, një më pak se Ballkani i cili mbetet në pozitën e tretë. Ferizaj mbetet në pozitën e 10-të në klasifikim me 25 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë në takimin tjetër i cili u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta”, Drita fitoi 2-0 ndaj Trepçës 89, dhe kështu merr kreun e tabelës ku ka dy pikë më shumë se Prishtina.

Takimi u zhbllokua në minutën e 17-të, ku Xhevdet Shabani realizoi një supergol nga goditja e lirë.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Dritës, ndërkohë në pjesën e dytë, Kastriot Rexha shënoi golin e 10-të sezonal dhe të dytin për mysafirët për të vulosur rezultatin përfundimtar 0-2./Insporti.com/

-->