Mbyllet derbi italian – Juventus dhe Napoli ndajnë pikët

Futboll 06 Janar 2022 22:45

Është mbyllur në barazim 1-1 sfida e sotme mes Juventusit dhe Napolit në stadiumin “Alianz”.

Para ndeshjes u ngritën shumë pikëpyetje mbi zhvillimin e saj për shkak të rasteve të shumta me Covid-19 në radhët e të kaltërve, por këtë herë nuk u përsërit e njëjta skenë si sezonin e shkuar.

Mertens zhbllokoi shifrat në minutën e 23-të, kur pas një asisti nga Politano e dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e napoletanëve, ndërsa në të dytën Federiko Kieza ktheu baraspeshën. Megjithëse Napoli luajti pa pankinë këtë ndeshje, duke qenë se në stol alternativat ishin vetëm lojtarët e moshave për shkak të rasteve me Covid-19, përsëri arriti të dilte me pikë nga kjo transfertë e vështirë.

Barazimi nuk i shërben asnjërës prej palëve, teksa në fund ekipi që buzëqeshi më shumë ishte… Atalanta. Bergamaskët kanë një ndeshje më tepër për të luajtur, prandaj një rezultat i tillë i jep mundësinë që në rast fitoreje t’i rrëmbejnë vendin e tretë Napolit, si dhe të shkëputen edhe më tepër nga Juventusi i vendit të pestë.

-->