McGregorin tentuan ta rrëmbejnë në Moskë, e shpëtoi policia

Sporte luftarake 31 Tetor 2019 12:25

Një javë më parë, Conor McGregor zhvilloi një konferencë shtypi në Moskë, ku deklaroi se do të rikthehet në kafaz më 18 janar të vitit të ardhshëm.

Gjithsesi, ky udhëtim i ish-kampionit të dyfishtë të botës në artet marciale mikse mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër, të frikshme për McGregor, që duket se luajti me zjarrin duke udhëtuar në kryeqytetin rus.

Sipas Sputnik News, disa njerëz kanë tentuar të hyjnë në hotelin ku ishte akomoduar irlandezi.

“Në hyrjen e hotelit “Ritz Carlton” u mblodhën rreth 100 vetë, disa prej të cilëve edhe fansa të McGregor. Sidoqoftë, shumica ishin fansa të Khabib Nurmagomedov dhe të ardhur nga Dagestani. Ata u mblodhën për të kërcënuar irlandezin, pas fyerjeve që ai ka bërë ndaj tyre kohët e fundit. Në fund, dy persona nga kjo turmë kanë tentuar të hyjnë me forcë në hotel, por u vërejtën dhe ndaluan nga policia ruse, që më pas shtoi masat e sigurisë rreth hotelit”, shkruajnë mediat ruse.

“Ne kishim “pak punë” me të. Donim t’i tregonim McGregor se njerëzit nga Dagestani nuk janë frikacakë që largohen”, kanë thënë dy personat, që kanë pranuar se donin të përballeshin me irlandezin, ta rrëmbenin dhe të mund t’i tregonin vendin një herë e përgjithnjë.

McGregor nuk duelon që nga tetori 2018, kur u mund nga Khabib Nurmagomedov, në eventin UFC-229.

-->