Më në fund FFK u përgjigjet akuzave të rënda të Llapit

Futboll 07 Mars 2019 15:20

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është shpejguar në një konferencë për shtyp sot, rreth akuzave që i janë bërë institucionit të cilin ai e drejton nga klubi i Llapit.

Klubi nga Superliga e akuzoi FFK-në se i kishte ofruar Prishtinës një shumë prej 38,000 eurove për ta mposhtur skuadrën nga Podujeva, transmeton Insporti.

Sidoqoftë, FFK ka mohuar këto akuza në konferencë për shtyp, derisa Ademi ka treguar se shuma i është ndarë kryeqytetasve për shkak të drejtave televizive dhe për akademinë, si pjesë e një projekti të UEFA-s.

“Kontratat me Digitalbin, çdo klub i ka nënshkruar në fillim të sezonit. Ne nuk kemi ndikim aty, por ne jemi për t’iu ndihmuar. Për këtë arsye, kur klubet kanë nevojë t’i marrin këto para më herët, ne ua japim më herët, siç ka ndodhur me 7 apo 8 klube këtë sezon”, ka thënë Ademi

“Edhe klubet të cilat shkojnë në garat e UEFA-s, Europa League dhe Ligën e Kampionëve, ne ua japim paratë më herët për t’iu ndihmuar. Ndërsa 18 mijë euro i janë dhënë Prishtinës për akademinë e futbollit. Kjo i jepet të gjitha klubeve dhe është projekt i UEFA-s”.

Sipas Ademit, këto dy shuma parash ndahen për klubet qysh në fillim dhe FFK-ja ia ka dhënë Prishtinës ato para pikërisht para ndeshjes kundër Llapit sepse atë herë i kishte kërkuar klubi kryeqytetas. /Insporti.com/

-->