“Më rrëzoi KO një grusht i dërguar nga Zoti”

Sporte luftarake 20 Gusht 2019 14:28

Boksieri britanik Anthony Joshua ka kohë që ka nisur përgatitjen për duelin e 7 dhjetorit, ku ai do të duelojë sërish ndaj meksikanit Andy Ruiz Jr.

Sidoqoftë, këtë herë, meksikani nuk ka rolin e sfiduesit por të kampionit të botës në peshën e rëndë.

Sipas Joshuas, ajo fitore ishte një rastësi për Ruiz, që një “grusht fatlum i meksikanit i dërguar nga Zoti” e hodhi atë KO në atë duel. Ajo ishte edhe humbja e parë e britanikut në karrierë. Andaj ai mezi po pret 7 dhjetorin për t’u hakmarrë dhe për të rimarrë titujt kampionë bote.

“Ishte një grusht fatlum i Ruiz që bëri diferencën, një grusht i dërguar nga Zoti për të më hedhur KO. Pas raundit të tretë duhej të kisha treguar më shumë kujdes në ring. Pasi dueli u ndal unë nuk dija ende se në cilin raund ndodhi kjo gjë”, tha Joshua.

“Gjithsesi, këtë herë ju garantoj se pasi ta hedh në tapet këtë herë ai nuk do të ngrihet më. Nuk do të përsëris më gabimin e herës së parë. I mbajta krahët shumë poshtë. Andy është një boksier i mirë, por isha unë ai që gabova, duke lëvizur shumë në ring dhe nuk e hodha KO një herë e mirë”, tha Joshua.