Media serbe: Çmenduri totale, Kosova e heshti Anglinë në minutën e parë

Kombëtarja 11 Shtator 2019 10:18

Gazeta serbe Blic e publikoi mbrëmë një artikull për ndeshjen mes Anglisë dhe Kosovës, të cilin e titulloi “Ndeshje e çmendur! E ashtuquajtura Kosovë e heshti Ishullin në minutën e parë, por anglezët e ndoqën këtë me fishekzjarrë”.

Anglia shënoi fitore me rezultat 5:3 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës, në stadiumin e Southamptonit, “St.Mary’s”, duke i dhënë kështu fund ecurisë së Kosovës prej 15 ndeshjeve pa disfatë, raporton Express.

“Futbollistët e Anglisë e mposhtën të ashtuquajturën Kosovë në një ndeshej fenomenale që u luajt në Southampton dhe përfundoi me rezultat 5:3”, shkruan Blic.rs.

“E ashtuquajtura Kosovë e mori epërsinë në sekondën e 34-të të ndeshjes, kur Michael Keane e bëri një gabim dhe i dha Kosovës një gol. Megjithatë, fati i tyre nuk zgjati shumë pasi që i morën pesë gola para përfundimit të pjesës së parë”.

Kombëtarja dardane u rikthye furishëm në pjesën e dytë, duke shënuar dy gola të shpejtë.

Valon Berisha me golin e dytë personal e mposhti Jordan Pickfordin në minutën e 49-të, para se Vedat Muriqi të shënonte nga penalltia, të cilën e kishte fituar vetë gjashtë minuta më vonë.

Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje.

Kosova e Bernard Challandes, ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 3:0 Malin e Zi.