Mediet bullgare befasojnë me fjalët për Kosovën pas ndeshjes

Kombëtarja 11 Qershor 2019 09:56

Gazeta bullgare, Sportal.bg, raporton se Kombëtarja e Bullgarisë e meritoi disfatën në ndeshjen kundër Kosovës, e cila përfundoi me rezultat 3:2 për “Dardanët” që po luanin si mysafirë në Sofje.

Skuadra e Bernard Challandes ishte dominuese për pjesën më të madhe të ndeshjes të së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

“Kombëtarja e Bullgarisë e përjetoi njërën ndër humbjet me të turpshme në histori kundër Kosovës në stadiumin ‘Vasil Levski’. Problemi më i madh ishte se disfata ishte e merituar, përkundër disa momenteve të mira gjatë ndeshjes”, shkruan Sportal.bg

“Në fushë, Kosova ishte më sulmuese. Bullgaria ishte e suksesshme në mbrojtje deri në minutën e 92-të, kur Rashani e goditi Bullgarinë dhe i çmendi tifozët e futbollit në Prishtinë. Sulmuesi shënoi gol dhe u bë heroi i një kombi që e ka fituar ndeshjen e parë kualifikuese”.

“Nga qielli po binte shumë shi, sikur të ishte duke qarë për tifozët bullgarë që nuk e panë skuadrën e tyre të fitojë dhe t’i rrisë gjasat për të garuar në turneun e parë të madh, pas 16 vjetëve. Ata e pranuan se kundërshtari i tyre ishte më mirë i përgatitur”, shkruan portali bullgar.

Me këtë fitore, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Republika Çeke. Megjithatë, Anglia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.