Mes kacafytjeve e përleshjeve, Galatasaray e mundi ekipin e Erdoganit

Futboll 19 Maj 2019 21:18

Skuadra e Gallatasarayit është shpallur sot kampione e Turqisë pas një “finaleje” të mirëfilltë kundër Istanbul Bashakshehir me të cilin ndante vendin e parë në renditje me pikë të barabarta.

Ekipi i drejtuar nga Fatih Terim ka fituar me përmbysje me rezultat 2:1 duke siguruar kështu titullin kampion përballë skuadrës të cilën pakkush në Turqi dëshironte ta shihte në fron, pasi është ekipi i preferuar i Erdoganit dhe financohet nga qeveria turke.

Bashakshehiri, që kishte kryesuar pjesën më të madhe të kampionatit, e nisi këtë ndeshje mirë duke gjetur i pari golin me anë të Bajiç.

Një gol i cili solli edhe tensione pasi në festimet e tij, Emre dërgoi topin në tribuna dhe tifozët e Galatasarayit u përgjigjën duke gjuajtur në fushë me sende të forta vazhdimisht e duke goditur lojtarët kundërshtarë.

Sherr kishte edhe në bankina, me përplasje të vazhdueshme mes palëve aq sa në një moment edhe Adebayor përfundoi në tokë i shtyrë nga rivalët.

Në fillimin e pjesës së dytë erdhi edhe reagimi i Galatasarayit, me Feghoulin që barazoi rezultatin, e më pas, Oniekuru shënoi golin e epërsisë 2:1 për Gallatasarayin që rezistoi deri në fund të ndeshjes dhe shpalli kampione këtë skuadër një javë para fundit të kampionatit.