Mesazhi prekës i Arsene Wenger për fotografin e skuadrës (Foto)

Futboll 07 Qershor 2018 13:19

Largimi i Arsene Wenger pas 22 viteve në stolin e Arsenal, nga shumica u prit pozitivisht, pasi kërkonin ndryshime, por pa marrë parasysh këtë fakt, tekniku francez qëndroi për më shumë se dy dekada te klubi londinez dhe largimi i tij mbarti edhe emocione te tifozët dhe stafi i Arsenal.

Madje Wenger personalisht kishte zgjedhur fotografin e skuadrës, që t’i linte një mesazh personal dhe prekës atij.

“Për Stuart, lojtarin yll të skuadrës time për 22 vite. Të uroj gjitha të mirat, me dashuri e respekt”, ishin fjalët që shkroi Arsene Wenger për fotografin e klubit Arsenal, Stuart MacFarlane, momentin e largimit të tij.

Pikërisht gjatë ditës së sotme, fotografi i Arsenal, Stuart MacFarlane, pasi e kishte vendosur në kornizë këtë mesazh nga Wenger, e kishte postuar në rrjetin e tij social me postimin: “të faleminderit Arsene Wenger për mesazhin e këndshëm”.

Arsene Wenger u zëvendësua në stolin e “Topçinjve” nga trajneri spanjoll Unai Emery, kurse tekniku francez gjatë kësaj jave deklaroi se ende nuk e di ku do të jetë e ardhmja e tij.

“Po, dëshiroj ende të jem trajner, mirëpo nuk jam i sigurt nëse edhe më tutje kam vullnetin të marrë përsipër sfida të çmendura”, tha Wenger.

“Duhet fillimisht ta pyes veten nëse jam i gatshëm të jetoj pa përjetuar adrenalinën që të sjell puna e trajnerit dhe pastaj të vendos a do të mund të jetoja pa qenë trajner i ndonjë skuadre”, kishte deklaruar Arsene Wenger, i cili ka disa opsione sa i përket drejtimit të skuadrave.

Madje, ka zëra se Wenger me qëllim nuk është duke marrë vendimin ta drejtoj ndonjë klub, pasi mendohet se ka synim të jetë përzgjedhës i përfaqësueses së Francës. /Insporti.com

-->