Mesfushori i Chelseat e pësoi keq në një klub nate – arsyeja një femër

Futboll 08 Shtator 2019 17:08

Mesfushori anglez i Chelseat, aktualisht në huazim te Burnley, Danny Drinkwater, është rrahur nga një grup prej 6 personash jashtë një klubi nate në Manchester, qytetin e tij të lindjes.

Sipas “The Sun”, episodi i frikshëm për futbollistin ndodhi pasi lojtari ishte përfshirë në një diskutim me kolegun e tij, Kgosi Ntlhe, mbrojtësin afrikano-jugor të Scunthorpe United, partneres së të cilit Drinkwater i ishte drejtuar më fjalë të rënda.

Pasi doli jashtë barit, ish-mesfushori i Leicester Cityt dhe Chelset është sulmuar nga disa persona, të cilët e kanë shtrirë përtokë, duke e dhunuar fizikisht.

Dhunuesit, duke e njohur futbollistin, e kanë goditur qëllimisht në kavilje për ta dëmtuar, madje sipas dëshmitarëve, ata janë dëgjuar teksa thërrisnin “thyejani këmbët”.

Sulmi ndaj Drinkwater ishte tepër i dhunshëm, aq sa gjurmët e gjakut dalloheshin gjithandej në vendngjarje.

Ai pritet që të takohet me menaxherin e tij, Sean Dyche, për të diskutuar për të ardhmen, pasi që pritet të mbetet jashtë fushave për disa javë.

Kujtojmë se Drinkwater në maj të këtij iu mor patent shoferi pasi u dënua me 20 muaj, për shkak se kishte drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe ishte përplasur në mur, pasi kishte kaluar dyfishin e shpejtësisë së lejuar.