Mësohet data kur do të merret vendimi final për Skënderbeun

Futboll 22 Maj 2019 11:02

Skënderbeu do të mësojë lajmin e shumëpritur në datën 21 qershor. Të paktën ky është vendimi i CAS, që ka zbuluar së fundmi edhe datën se kur do të dalë zyrtarisht vendimi për çështjen që lidh Skënderbeun me UEFA-n.

Një çështje, e cila duket se do të marrë fund, për sa i përket pritjes në javën e parafundit të muajit qershor.

Një zgjatje e vendimit final kishte sjellë me vete shumë dilema dhe paqartësi. Te Skënderbeu vazhdojnë të presin me ankth vendimin final të CAS-it në lidhje me dënimin 10-vjeçar të dhënë nga UEFA. Seanca e zhvilluar më 16 prill dhe tërheqja nga kjo dosje e disa prej dëshmitarëve kryesorë, ka bërë që në Korçë të shpërthejë entuziazmi për një vendim pozitiv.

Megjithatë, verdikti final ende nuk po vjen dhe të gjithë presim me padurim të mësojmë se ç’do ndodhë me ekipin bardhekuq. Fillimisht u raportua nga CAS se vendimi do dilte gjatë muajve në vazhdim, por tashmë kemi një datë fikse, kur jo vetëm Korça, por i gjithë opinioni sportiv në vend do mësojë zyrtarisht çfarë do ndodhë me Skënderbeun.

Nëse CAS më herët ishte shprehur se vendimi do të dilte gjatë 4-6 javëve në vazhdim nga data e seancës dëgjimore, duket se tashmë gjithçka është më e qartë, por pa dyshim që ankthi është prezent në këtë klub.

Vendimi që pritet në mesin e muajit qershor, duket se po mban të karikuar të gjithë ambientin bardhekuq. Pa dyshim që dalja e plotë dhe e argumentuar e vendimit nga ana e CAS do të sjellë reagime të ndryshme në kampin bardhekuq.

Frika e parë është një dënim i lënë në fuqi për Skënderbeun apo qoftë edhe një zbutje e këtij dënimi. Që nëse ndodh kështu, korçarët do t’i gëzohen faktit se kanë kaluar edhe një vit nga ky dënim dhe vetëm kaq. Pavarësisht se klubi vijon të pretendojë pafajësinë dhe do ta ndjekë deri në shkallën më të lartë këtë çështje.

Në anën tjetër, duket se data me të cilën do të merret vendimi shkon ndesh me atë të hedhjes së shortit për të ndarë fazën eliminatore të Europa Ligës. Nëse vendimi, siç është bërë me dije, do të merret më 21 qershor, atëherë mund të themi se Skënderbeu me shumë mundësi humb Evropën për këtë vit edhe në rast se listohet mes ekipeve që do të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticionet evropiane.