Mësohet finalisti i parë në Wimbledon pas trilerit 6 orë e 35 minuta

Tenis 13 Korrik 2018 21:01

Çmenduri e vërtetë në Wimbledon. Finalisti i parë është mësuar pas një meçi që zgjati për 6 orë e 35 minuta, ku në fund triumfoi 32 vjecari, Kevin Anderson, nga Afrika e Jugut.

Anderson e mundi 3-2 (7-6, 6-7, 6-7, 6-4, 26-24) rivalin amerikan John Isner në gjysmëfinalen e luajtur në fushat me bar të Londrës.

Një maratonë e vërtetë kjo sfidë, që zgjati 6 orë e 35 minuta, duke u bërë ndeshja e dytë më e gjatë e historisë së Wimbledonit (ndeshja më e gjatë përfshin sërish Isner, që 8 vite më parë pat mundur Nicolas Mahut pas 11 orësh e 5 minutash).

Anderson, që dy ditë më parë pat mundur pas gati 5 orësh lojë Roger Federer përsëriti të njëjtin rezultat edhe sot, në një përballje epike ndaj Isner, ku natyrisht seti final ishte ai që dhuroi emocionet më të mëdha.

Tri setet e para u vendosën në “tie break”, me amerikanin që udhëhoqi 2-1, por në setin e katërt afrikano-jugori fiton 6-4 dhe barazon shifrat. Fituesi u përcaktua në setin final, që ishte një “ndeshje më vete”, që duket se nuk do të përfundonte kurrë.

Tenistët fitonin “game” me shërbimet e tyre dhe e tillë loja shkoi deri në barazimin 24-24, moment kur Anderson fiton me topat e Isner (udhëheq 25-24) dhe më pas mbyll ndeshjen në favorin e tij 26-24, du kualifikuar kështu për në finale.

Gjysmëfinalja tjetër është ajo mes kampionëve Novak Djokovic dhe Rafael Nadal, që ka gjasa edhe të ndahet në dy ditë në rast se do të ketë shumë rivalitet, duke parë kohëzgjatjen e takimit të parë dhe orën e vonë që do të nisë (20:55).

-->