“Messi do të ketë 10 statuja në Camp Nou”

Futboll 05 Maj 2019 19:14

Lionel Messi padyshim se është lojtari më i mirë jo vetëm në historinë e Barcelonës, por edhe nga më të mirët në historinë e futbollit.

Argjentinasi shënoi golin e fitores në ndeshjen kundër Levantes javën e kaluar, që ishte i mjaftueshëm për tri pikët që siguruan titullin e La Ligas.

Presidenti i skuadrës katalonase, Josep Maria Bartomeu, është në dijeni për madhështinë e lojtarit dhe ka dhënë një premtim të madh për të.

I pyetur nëse Messi do të ketë ndonjë statujë në ‘Camp Nou’, presidenti ka thënë: “Do t’i ketë 10 të tilla (në stadiumin e rinovuar).”

“Unë nuk do t’i jepja atij ‘Topin e Artë’. Ai është përtej atij tashmë, në një kategori speciale” ka thënë tutje presidenti i blaugranëve.

“Ka lojtarë të mëdhenj, por ai është në një tjetër dimension” ka shtuar ndër të tjerash Bartomeu, lidhur me yllin argjentinas që bartë numrin 10 tek Barcelona.

Messi tregoi madhështinë edhe në ndeshjen kundër Liverpoolit në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, në të cilën realizoi dy gola, në fitoren 3:0 të Barcelonës.