Messi jashtë podiumit për “Topin e Artë”, arsyetimi qesharak i një gazetari

Futboll 06 Dhjetor 2018 16:38

Të hënën e shkuar u zhvillua ceremonia e dorëzimit të “Topit të Artë” dhe ashtu si pritej, fitoi Luka Modric, ndërkohë që debat të madh ka hapur edhe fakti se Lionel Messi nuk u rendit as në mesin e tre të parëve. Tani një gazetar ka zbuluar pse ai nuk votoi për Messin dhe një koleg i tij ka vërtetuar se arsyetimi i tij ishte qesharak.

Lionel Messi ndoshta nuk pati vitin perfekt dhe Kupa e Botës peshon shumë, por zor se ndonjë njeri me 2 gramë tru në botë e konsideron yllin argjentinas aq inferior sa të renditet jashtë treshes së parë në votimin për “Topin e Artë”.

Sulmuesi i Barcelonës, 5 herë fitues i “Topit të Artë”, për herë të parë që prej vitit 2006 nuk u rendit në podium, duke mbetur pas treshes Modric, Ronaldo e Griezmann.

Gazetari spanjoll Alfredo Relano shpjegon pse i dha Messit vendin e pestë: “Ishte viti i Botërorit dhe në vite të tilla duhet të shohësh me kujdes edhe atë që ndodhi në atë turne”.

“E vërteta është se Kupa e Botës e dëmtoi Messin, sepse ai nuk luajti mirë për Argjentinën. Nëse do luante te Barcelona ashtu si luan në kombëtare, Messi nuk do konsiderohej një ndër më të mëdhenjtë e historisë, do e shihnim thjesht si një futbollist të mirë në një moment të caktuar”.

Natyrisht, ky është opinioni i gjithë kritikëve të Messit, por ndërkohë një tjetër gazetar i njohur, Guillem Balague, provoi me statistika se viti i Messit nuk ka qenë aspak i keq, edhe kur bëhet fjalë për kombëtaren, pavarësisht se njerëzit shohin vetëm kush e fitoi trofeun. Po të ishte Messi, Argjentina ndoshta nuk do të ishte fare në Kupën e Botës, në radhë të parë, sepse ishte pikërisht “Pleshti” ai i cili shënoi 3 gola duke përmbysur Ekuadorin në një ndeshje kyçe para një viti.

Argjentina me Messin në përbërje ka luajtur dy finale në Copa America dhe një finale Botërori, ndaj të fajësohet Messi për gjithë hallet e Argjentinës dhe të thuhet që nuk është ndër 3 më të mirët në botë se Argjentina nuk është në majën e botës, duket absurde.