Messi shpërtheu në lot në zhveshtore pas turpërimit nga Liverpooli

Futboll 08 Maj 2019 15:36

Lionel Messi ishte aq i dëshpëruar pas tronditjes në Ligë të Kampionëve nga Liverpooli në ‘Anfield’ sa që thuhet se sulmuesi argjentinas shpërtheu në lot në zhveshtore.

Ëndrra e Barcelonës dhe Lionel Messit në Ligë të Kampionëve përfundoi mbrëmjen e kaluar pas një drame të madhe në Liverpool, ku pavarësisht fitores 3:0 në takimin e parë, ata u shkatërruan duke pësuar disfatë me rezultat 4:0.

Ishte hera e dytë radhazi që skuadra e Ernesto Valverdes eliminohet për shkak se një gjë e tillë ka ndodhur edhe kundër Romës vitin e kaluar në çerekfinale.

Këtë herë gjithçka ndodhi në Anfield, ku Messi dhe bashkëlojtarët e tij te Barcelona ishin të tronditur në fishkëllimën e fundit.

Sipas një raporti nga The Guardian, duket se Messi me të arritur në zhveshtore nuk është mbajtur më duke shpërthyer në lot.

Për të përkeqësuar gjërat, ylli argjentinas ka kryer edhe një test anti-doping duke humbur kështu udhëtimin me autobus së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.

Messi thuhet se ka qenë gjithashtu i përfshirë në një konfrontim me tifozët.