“Messin e pushtoi djalli ndaj Liverpoolit”

Futboll 02 Maj 2019 14:19

Pak më shumë se 27 metra dhe goditje dënimi me topin që arriti shpejtësinë thuajse 91 km në orë.

Ky ishte goli spektakolar të cilin Messi e shënoi mbrëmë, kundër Liverpoolit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

‘Pleshti’ i shënon kujtdo, nuk njeh rival dhe, aq më tepër, portier. Alisson Becker është një portier i cili është ndër më të mirë në qarkullim, por edhe pse u mundua të kërcente më fort se kurrë për të mbërritur te cepi i portës, nuk ia doli.

Një goditje në perfeksion ajo e argjentinasit, aq sa Alessandro del Piero, mjeshtri i goditjeve të dënimit, mbeti i mahnitur përpara televizorit.

“Çfarë mund të thuash? Mendoj se Messi ishte i pushtuar nga djalli… Edhe goli i parë nuk ishte i lehtë, shihni se me sa ëmbëlsi e kontrollon topin pasi i kthehet nga tranversa te goditja e Suarezit. Por, te goditja e dënimit nga 27 metra, ta dërgosh me atë preçizitet dhe atë forcë goditje është çmenduri”, tha Del Piero.

Capello provoi ta vërë në vështirësi Del Pieron, duke i thënë mos ndoshta barrikada e vendosur nga Alison nuk ishte e plotë, por ish-ylli i Juventusit ia ktheu: “Nuk është e vendosur mirë, por edhe me një lojtar më shumë nuk do të ndryshonte përfundimi. Messit iu deshën 10 sekonda të analizonte zgjidhjen. Do të kishte shënuar gjithsesi”.