‘Mestalla’ terren i vështirë, Barcelona nuk këndellet në La Liga

Futboll 07 Tetor 2018 22:43

Barcelona nuk ka arritur të këndellet në kampionatin spanjoll. Blaugranët u ndalën në barazim 1:1 në udhëtim te Valencia, në kuadër të xhiros së 8-të të La Ligas.

Fillimi i takimit ishte një “dush i ftohtë” për katalanasit. Ata pësuan gol qysh në minutën e dytë të takimit. Gjithçka erdhi nga një goditje këndore, ku Pique nuk u tregua i vëmendshëm, situatë të cilën më së miri e shfrytëzoi Garay.

Vazhdimin e takimit e dominuan katalunasit duke mbajtur posedimin dhe duke qenë më kërkues. Mundin e skuadrës e shpërbleu si gjithnjë Lionel Messi, i cili me një goditje fenomenale me të majtën, nga jashtë 16 metërshi tundi rrjetën e kundërshtarit për rezultatin 1:1.

Me këtë barazim, Barça pozicionohet në vendin e dytë në tabelë, me 15 pikë, një më pak se Sevilla që gjendet në pozitën e parë.

Barcelona tashmë është katër ndeshje pa fitore në La Liga, me 3 barazime e një humbje në katër xhirot e fundit.