Miami rihap llogaritë, mposhtin Lakers-at në ndeshjen e pestë finale

Basketboll 10 Tetor 2020 10:27

Spektakli i finales së NBA vijon, teksa Los Angeles Lakers ka shpërdoruar “match-point”-in e parë për titullin kampion, pasi është mposhtur nga Miami Heat me rezultatin 108-111 në ndeshjen e pestë dhe tashmë rezultati i përgjithshëm është 3-2 për kalifornianët.

Në “AdventHealth Arena” të Orlandos u zhvillua përballja më e luftuar dhe e balancuar deri tani mes dy ekipeve, teksa në fund ishin sportistët e Miamit që festuan një fitore të merituar dhe rihapën llogaritë e titullit.

Që në fraksionin e parë Heat-sat treguan se ishin të vendosur për të luftuar fort dhe për të mos i lënë kalifornianët të hapin shampanjën e titullit, teksa në fund të 12-minutëshit kryesonin me vetëm një pikë diferencë.

Edhe dy fraksionet e radhës shkuan sërish në favor të Miami Heat, që kur ishte luajtur treçereku i lojës, kishin krijuar një avantazh prej 6 pikësh dhe kjo e bëri akoma më interesante pjesën e fundit të lojës.

Lakers rimorën avantazhin në fundin e pjesës së katërt, por 4 gjuajtje të lira radhazi për Miamin sollën edhe përmbysjen e rezultatit dhe fitoren e tyre.

LeBron James bëri një ndeshje perfekte, duke shënuar 40 pikë, rikuperuar 13 topa dhe dhenë 7 asiste, ndërsa për Miamin shkëlqeu Jimmy Butler, që shënoi 35 pikë, rikuperoi 12 topa dhe dha 11 asiste.

Sfida e radhës do të luhet pas 48 orësh sërish në “AdventHealth Arena” dhe Los Angeles Lakers do të ketë “match point”-in e radhës për titullin kampion, pasi në rast fitoreje do të mbyllte përfundimisht llogaritë.

-->