Milan kërkon sulmuesin e Romës

Futboll 21 Shkurt 2018 09:35

Skuadra e Milan, ka filluar të hedhë vështrimin kundrejt kryeqytetit italian, më saktësisht tek ekipi i Romës dhe synon të shikojë mundësinë e blerjes së sulmuesit të klubit romak.

Fjala është për boshnjakun, Edin Dzeko i cili shikohet nga “Rosonerët” si një golashënues i sigurt dhe sipas shtypit italian, përkundër që për ekipin e Milan ëndërr mbetet transferimi i anësorit të Borussia Dortmund, Marco Reus, megjithatë kuqezinjtë kanë nevojë për një sulmues i cili garanton 15-20 gola për sezon në Serie A.

Boshnjaku Dzeko doli si kandidatë i fuqishëm, si pasojë e asaj se Patrick Cutrone, Nikola Kalinic dhe Andre Silva kanë arritur të shënojë vetëm 9 gola në mes tyre.

Në anën tjetër thuhet se Roma ka nevojë që të përfitojë ca para nga shitja e ndonjë lojtari dhe përkundër se Milan nuk i kanë fondet e njëjta sikur një vit më parë, ata mund t’i bëjnë ballë shumës prej 25 milionë euro sa kërkon ekipi romak për boshnjakun, pasi kuqezinjtë do të përfitojnë nga shitja e Kalinic, i cili duket se është kandidati numër një për t’u larguar nga “San Siro”.

Për më tepër “Rosonerët” kanë mundësi po ashtu t’i bëjnë ballë edhe pagës së Dzeko-s prej 4.5 milionë euro në vit, apo madje edhe ta përmirësojnë atë, marrë parasysh se Gianluigi Donnarumma paguhet 6 milionë dhe Leonardo Bonucci 8 milionë euro në vit.

Përndryshe Edin Dzeko muajin e kaluar, ishte shumë i përfolur për një rikthim në Premier League tek ekipi londinez Chelsea.

Sulmuesi boshnjak deri më tani ka shënuar 14 gola në 32 paraqitje për “Giallorossi-t” këtë sezon në Serie A. /Insporti.com

 

-->