Milani kthehet te fitorja pas 5 ndeshjeve

Futboll 29 Dhjetor 2018 22:28

Milan e ka mbyllur me fitore vitin kalendarik 2018. Në xhiron e 19-të të Serie A, “rosonerët” kanë mposhtur skuadrën e SPAL, me rezultatin 2:1.

Serinë e golave në këtë takim e hapën skuadra mysafire, me anë të Andrea Petagna, i cili me një goditje të mirë nga jashtë 16 metërshi, mposhti Donnarumman për 0:1 kur po luhej minuta e 13’.

Përgjigja ishte e shpejtë nga Milani, të cilët vetëm tre minuta më vonë arritën të barazojnë rezultatin. Këtë e bëri Samu Castillejo, i cili realizoi një nga golat më të bukur të Milan këtë edicion.

Listës së realizatorëve pas një kohe të gjatë iu kthye edhe argjentinasi Gonzalo Higuain, i cili në minutën e 64’ realizoi golin e fitores për kuqezinjtë.

Kjo fitore përveç tri pikëve, trajnerit Gennaro Gattuso i solli edhe një mundësi për të vazhduar qëndrimin në stolin e “rosonerëve”.

Tashmë Milan grumbullojnë 31 pikë dhe qëndrojnë në pozitën e pestë, me 1 pikë më pak se Lazio dhe 1 më shumë se Roma.