Milot Rashica vjen me një premtim të madh

Kombëtarja 20 Maj 2019 17:28

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, ka folur për sezonin aktual me Werder Bremenin, por edhe për karrierën e tij, duke insistuar se ende nuk i ka arritur limitet e mundësive të tij.

Rashica e kaloi një sezon fantastik me Werder Bremenin, përkundër se skuadra e tij e mbylli sezonin në vendin e 8-të, duke mos arritur të kualifikohet për në garat evropiane.

Futbollisti kosovar ka shënuar 11 gola në pjesën e dytë të sezonit dhe një tjetër në atë të parë, për ta kompletuar një sezon të mrekullueshëm.

Mirëpo, vushtrriasi insiston se nuk e ka arritur ende maksimumin e karrierës.

Ai është i bindur se limitet e tij janë larg dhe është i bindur se mund të arrijë më shumë.

“Pasi kisha vështirësi në fillim, tash jam i kënaqur. Por, do të doja ta arrinim objektivin edhe me klubin”, është shprehur 22 vjeçari për uebfaqen zyrtare të klubit pas fitores 2:1 ndaj Leipzigut.

“Mirëpo, ende nuk ka marrë fund asgjë. Unë dua të arrij shumë në karrierën time. Do të punoj shumë për këtë”, ka përfunduar Rashica.

Interesim për të ka shfaqur Leipzigu, por Werder Bremen është i vendosur ta mbajë atë gjatë në ekip.

Rashica është futbollisti më në formë i Përfaqësueses së Kosovës dhe pritet të japë kontribut të madh në ndeshjet e qershorit me Malin e Zi (7 qershor) dhe Bullgarinë (10 qershor), në kualifikimet e Evropianit 2020.