Minatori – aty ku rrezikohen gazetarët

Superliga 04 Shkurt 2018 12:00

Palestra Minatori në Mitrovicë është një prej pak palestrave që edhe këtë sezon mbushet me shikues kur ka ndeshje të basketbollit. Atmosfera e zjarrtë, e krijuar mbrëmë, nga rreth 2,000 shikues në sallë është lavdëruar nga të gjithë dhe pasqyruar nga shumë media.

Por, pasqyrimin e kësaj atmosfere, mediat nuk e kanë të lehtë, madje puna në këtë sallë është e rrezikshme.

Kameramanët duhet të xhirojnë nga një platformë e ngushtë që nuk është as ballkon normal, dhe nuk ka asnjë konstruksion mbrojtës, e gjendet në lartësi disa metërshe.

“Gjeniu” arkitekt që ka punuar në renovimin e kësaj salle me fonde të BE-së, duket se nuk i ka pasur parasysh mediat fare gjatë renovimit.

Në këto foto amatore, të bëra në ndeshjen e mbrëmshme shihen kameramanët që ngjiten në platformë më shkallë dhe në momentin që ngjiten lart, lëvizjen e kanë po thuajse të pamundur.

Zyrtarë të palestrës kanë pohuar se janë të njoftuar me problemin, por nuk kanë pasur mundësi deri më tani që të intervevojnë në atë pjesë të sallës./Insporti.com