Ministri Gashi i dorëzon flamurin e Kosovës ekipit 3×3

Basketboll 27 Qershor 2019 17:07

Kosova për herë të parë të dielën do të debutojë në garat e FIBA Europe Cup në 3×3. Ekipin e Kosovës sot e ka pritur në një takim, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ai i ka uruar sukses ekipit të Kosovës, që për herë të parë po prezantohet në një garë të tillë, duke i ofruar përkrahjen, derisa gjithashtu duke shpresuar se do të kthehet me suksese.

Ministri Gashi i ka dhuruar ekipit një flamur të Kosovës, me shpresë se ky flamur do të ngritet sa më lartë në Rumani.

Në anën tjetër ekipi i Kosovës, së bashku me koordinatorin Agon Fehmiun, kanë folur për rëndësinë e garës që do të marrin pjesë, kurse kanë shtuar se do të japin 100 % nga vetja për të prezantuar sa më mirë shtetin e Kosovës. Në fund ata i kanë dhuruar një fanellë të Kosovës, ministrit Gashi, duke e falënderuar për përkrahjen.

Ekipi i Kosovës përbëhet nga Altin Sahiti, Albatrit Berisha, Arti Hajdari dhe Arian Mehmeti. Kosova është në grup me Slloveninë dhe Andorrën, kurse garat do të zhvillohen të dielën.

Garat 3×3 po mbështetet edhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës, që shpreson se kjo lojë do të popullarizohet edhe më shumë në vendin tonë.