Mino Raiola dërgon edhe një yll të futbollit në MLS !

Futboll 11 Prill 2018 11:07

Super agjenti Mino Raiola, i cili si klient ka një numër ta madh lojtarësh yje, pas Zlatan Ibrahimovic, duket se do të dërgojë edhe një futbollist të tij në ligën MLS në SHBA.

Skuadra e MLS, D.C. United, ka kontaktuar me Raiolan, duke kërkuar shërbimet e njërit prej klientëve të tij, i cili në fund të sezonit pritet të jetë lojtarë i lirë.

Bëhet fjalë për ish-lojtarin e Manchester City, Inter, Milan e Liverpool, sulmuesin italian Mario Balotelli, i cili nga viti 2016 është pjesë e Ligue 1 në Francë me skuadrën Nice.

Balotellit në fund të këtij sezoni i skadon kontrata me skuadrën franceze dhe do të jetë lojtarë i lirë dhe duket se destinacioni i ardhshëm i tij, pritet të jetë SHBA, më saktësisht liga MLS, kur vetëm pak kohë më parë, u transferua edhe klienti tjetër i agjentit Raiola, Zlatan Ibrahimovic, që bëri bujë të madhe.

Përkundër se Balotelli do të jetë lojtarë i lirë, Raiola ka mendim të lartë për sulmuesin dhe mendon se 27 vjeçari vlen edhe deri në 100 milionë euro dhe skuadrat që do ta transferojnë si lojtarë të lirë, do të jenë me të vërtetë me fat.

Sipas raportimeve të shtypit, thuhet se përfaqësuesit e klubit amerikan veçse kanë filluar kontaktet me agjentin e Balotellit, përkundër se Raiola nuk përjashton edhe transferimin e “Super Marios” në Premier League apo Serie A, ku ka deklaruar se është në negociata me disa ekipe të këtyre dy ligave.

Më herët u bë e ditur se në Serie A, skuadrat si Juventus, Inter, Napoli e Roma, janë të interesuara për shërbimet e sulmuesit 27 vjeçar.

“Do të ishte një marrëveshje e favorshme për të gjithë, që të marrin një lojtarë i cili vlen edhe deri në 100 milionë euro, por që do të jetë i lirë ne fund të këtij sezoni”, kishte deklaruar më herët Mino Raiola.

Përndryshe, Mario Balotelli sezonin e fundit me Nice, ka shënuar 21 gola në të gjitha garat dhe agjenti i tij Raiola, pohon se sulmuesi italian është pjekur dhe nuk është më ai lojtari problematik, si brenda dhe jashtë fushës, siç kishte qenë më herët derisa luante në nivelet më të larta të futbollit evropian. /Insporti.com

-->