Mirel Josa e konfirmon: Prishtina do të përforcohet edhe me dy ose tre futbollistë

Futboll 05 Gusht 2019 11:45

Trajneri i Prishtinës Mirel Josa është rrëfyer në një intervistë të gjatë për gazetën “Zëri”. Ai ka folur për punën, të cilën e ka bërë te Prishtina dhe për të ardhmen si trajner i kryeqytetasve,.

Ora 15:30. Në parkingun për vetura të stadiumit të 2 Korrikut në Prishtinë shfaqet Mirel Josa. Duke ardhur drejt futbollistëve, si fillim nuk interesohet për punën që di ta bëjë më së miri – atë të trajnerit, mirëpo për diçka njerëzore. “Si është gjendja e nënës, është më mirë?”, i drejtohet mesfushorit Diar Miftaraj, nëna e të cilët në ditët e fundit është përballur me probleme shëndetësore. Pasi merr përgjigje, i drejtohet stafit të gazetës “Zëri” dhe pa përtesë pranon pyetjet e një interviste të gjatë.

Trajneri nga Tirana, i cili Prishtinën e ka drejtuar në dy edicionet e fundit, rrëfehet në pyetjet e mëposhtme të gazetës.

Klubi më i madh në Kosovë gjatë këtij afati kalimtar i ka realizuar disa transferime.

Eglant Haxho, Kreshnik Uka, Endrit Krasniq, Alban Shillova, Ahmed Januzi dhe Tun Bardhoku janë futbollistët që kanë zbarkuar në kryeqytet gjatë kësaj vere.

Ndërkaq, trajneri Josa thotë se pret që edhe dy apo tre lojtarë të vijnë në skuadër këtë verë.

“Janë lojtarë të njohur edhe më përpara. Kemi ardhjen e portierit Eglant Haxho, Endrit Krasniqit, Alban Shillovës, Kreshnik Ukës, Ahmed Januzit ose Tun Bardhokut. Janë lojtarë të cilët them se do t’i shërbejnë skuadrës. Normalisht që cilësia e tyre nuk është e njëjtë, por një skuadër nuk do të marrë vetëm cilësi të lartë, mirëpo edhe lojtarë të cilët e plotësojnë njëri-tjetrin dhe janë në pozita pune të cilët duhet të jenë konstantë dhe jo vetëm në një ndeshje të japin qind për qind. Unë jam bazuar në këto baza për ta ndërtuar një ekip, sepse kështu jam mësuar të ndërtojë projekte”, u shpreh Josa për gazetën “Zëri”.

Tutje, Josa thotë se çmimi i futbollistëve në Kosovë është ngritur.

“Ne kemi pritur, propozime kemi pasur qoftë lojtarë nga Shqipëria, qoftë nga vende të tjera na janë propozuar. Tashmë në Kosovë e kemi një rritje të çmimit të lojtarëve e në Shqipëri këto kuota kanë rënë shumë dhe mund të them që mua nuk më influencon shumë ky fakt. Mua më influencon fakti se çfarë lojtarësh kemi transferuar. I presim dy ose tre lojtarë, por i dua të cilësisë së mirë”, shtoi ai.

-->