Mirel Josa kritikon ish-futbollistin e Kombëtares së Kosovës: Bëri gabim amatoresk

Futboll 13 Tetor 2019 23:48

Ish-trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, është i kënaqur nga paraqitja e Kombëtares Shqiptare në takimin përballë Turqisë.

I ftuar në emisionin Sport News Plus në “News 24”, Josa deklaroi se kjo është një fazë stabilizimi për ekipin kuqezi, ndërsa shprehet se tashmë duhet parë në vazhdimësi kjo formë e mirë.

“Kombëtarja është në një fazë stabilizimi. Me Rejën, besoj se dhe vetë ai, ka ndjekur një stabilitet me ekipin, qoftë me mënyrën e vendosjes së skuadrës fillestare, edhe me djemtë që përbënin ekipin. Është munduar të sjellë lojtarë të rinj, t’i aktivizojë, dhe duhet parë në vazhdimësi. Ka pasur edhe probleme këtë periudhë. Për shembull, Mavraj u spostua nga formacioni, një zgjedhje e tij. U spostua për arsye dëmtimi edhe Hysaj”, tha Josa.

“Zgjidhjet e trajnerit, ishin të mira, dhe kishte një gërshetim të lojtarëve të rinj, me ata që kishin më shumë ekspriencë. Ekipi nuk punoi keq. Opinionet e njerëzve pranë futbollit, ishin të mira, sepse e tregoi fusha. Kritikat kanë qenë të pakta në drejtim të skuadrës. Trajneri ndoqi nga fitorja në Elbasan me Islandën, risitë e tij. Lojtarë si Dermaku, Gjasula, Manaj apo Bare, kanë fituar formacionin. Ishin lojtarë që filluan si titullarë, dhe i qëndrojnë stabilitetit që kërkon çdo trajner nga skuadra. Ka ruajtur edhe të njëjtën skemë. Ka qenë pothuajse 3-5-2”.

“Për mua, moduli është mbrojtës. Kemi 3 mbrojtës qendre, kemi mbrojtësa anësore. Veseli në të djathtë, që mund të luajë edhe në qendër, dhe Lenjani që është një mesfushor krahu. Trajneri kishte zgjedhur një strategji të mirë, që i presoi lart turqit. Nuk i la të bënin lojë. Kjo strategji, ishte shumë e mirë. Normale që Turqia do kishte më shumë mbajtje topi, por me modulin 3-5-2, edhe kur e zotëron topin, duhen të futen në punë sulmuesit kryesorë. Edhe Interi me Konten kështu luan. Manaj kur doli vetëm me portierin, duhej ta mbronte, që të paktën të merrte një penallti. Ka të bëjë edhe freskia në ato momente, ishin 10 minutat e fundit të lojës. Por, Manaj kishte raste të tjera edhe më herët, që nëse do vepronte më mirë, do kishte pasur raste më të pastra para portës”, shtoi ai.

Tutje, Josa kritikoi qendërmbrojtësin Kastriot Dërmaku, që ishte grumbulluar me Kosovën në vjeshtën e vitit të kaluar për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Azerbajxhanit e Ishujve Faroe.

Por, pasi nuk e kishte zhvilluar asnjë minutë me “Dardanët”, Dërmaku ishte larguar në muajin tetor duke vendosur që t’i bashkohej Shqipërisë.

Ai ishte titullar në ndeshjen e fundit të Shqipërisë, të zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2020’, kundër Turqisë.

“Unë nuk dua ta komentoj shumë golin e pësuar, sepse ishte një vlerësim jo i mirë i situatës nga Strakosha. Por, më herët, ishte Dermaku që bëri një gabim amatoresk, e kishte topin vetë dhe e humbi. Një gabim mund të bëjë Strakosha, por edhe të tjerë”, ka thënë ndër të tjera ish-trajneri i Prishtinës, Mirel Josa.

-->