“Mision im është t’i fundosi dy kampionë bote brenda një viti – do ta turpëroj Joshuan”

Boks 11 Janar 2019 10:02

Boksieri britanik, Tyson Fury, po përgatitet intensivisht për t’u rikthyer sërish në ring në pranverën e këtij viti, për të zhvilluar revanshin me Deontay Wilder, pasi sfida e parë mes tyre u mbyll në barazim.

Ish-kampioni i botës kërkon që të kompletojë atë që pati nisur në dhjetor, por që sipas tij gjyqtarët e pengun ta marrë, titullin kampion bote në kategorinë WBC.

“Kam një mision këtë vit, të mund Wilderin e Joshuan. Të dy do të bien njëri pas tjetrit “KO” dhe do të marr titujt e tyre, duke u rikthyer kampion absolut bote”, tha Fury.

“Njërin titull duhej ta kisha marrë që në dhjetor, por gjyqtarët i bënë një dhuratë Wilderit”.

“Por ka një revansh që do të zhvillohet dhe aty do të marr atë që më takon me të drejtë”, tha Fury.

“Pasi të kem mbyllur punë me Wilder do të jetë radha e Joshuas”.

“Meqë Joshua e kërkon me çdo kusht titullin e kategorisë WBC do të jem unë ai që do t’ia jap atë shans për ta fituar atë titull”.

“Do të jetë një duel britanikësh që do ta mbajnë mend të gjithë, ku do të shohin një xhongler si Joshua që do të rrëzohet turpshëm. Ju premtoj, ky do të jetë viti im”, u shpreh Fury.