Mkhitaryani nuk luan në finalen e Ligës së Evropës shkaku i politikës

Futboll 21 Maj 2019 14:34

Henrikh Mkhitaryan nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Unai Emery për finalen e Europa League mes Arsenalit dhe Chelseat, që do të zhvillohet në Baku të Azerbaixhanit.

Vendimi për ta lënë jashtë armenin lidhet me tensionet politike mes Azerbaixhanit dhe Armenisë për kontrollin politik të regjionit Nagorno-Karabakh.

Për të evituar problemet e mundshme, “Topçinjtë” kanë vendosur të mos e grumbullojnë 30-vjeçarin armen, që edhe në të kaluarën nuk ka udhëtuar drejt Azerbaixhanit për të njëjtat arsye.

Klubi i Arsenalit, që dha lajmin nëpërmjet një qëndrimi zyrtar, shpreh keqardhjen këtë vendim të detyruar.

“Me zhgënjim njoftojmë se Henrikh Mkhitaryan nuk do të udhëtojë me skuadrën për finalen e Europa League kundër Chelseat. I kemi analizuar të gjitha mundësitë që lojtari të ishte me ekipin, por pasi diskutuam edhe me familjen e tij ramë dakord që ai të mos grumbullohet. I kemi dërguar një shkresë UEFA-s, nëpërmjet së cilës shfaqim shqetësimin tonë. Mkhitaryan ka qenë një lojtar kyç në rrugëtimin tonë drejt finales, kështu që ai është një humbje e madhe për ne. Jemi të trishtuar për faktin që një lojtar do të humbë një finale të madhe europiane për rrethana të tilla, diçka që ndodh shumë rrallë në karrierën e një futbollist”, thuhet në njoftim.