Morina tregon çelësin e fitoreve të Kosovës, shprehet optimist për ndeshjet e radhës

Kombëtarja 27 Shkurt 2020 14:55

Përfaqësuesja e Kosovës i ka fituar dy ndeshjet e para parakualifikuese për Botërorin e vitit 2023, duke mundur Islandën (80:78) dhe Luksemburgun (84:80). Ndër më të merituarit për këto dy fitore pa dyshim që ishte Gëzim Morina, i cili në momentet më vendimtare tregoi cilësinë dhe qetësinë e padiskutueshme. Në një bisedë për Insportin, Morina thekson se i gjithë grupi e ka dhënë maksimumin dhe rëndësi kanë vetëm fitoret.

“I kemi fituar dy ndeshjet dhe në këtë moment kjo është më e rëndësishmja. Sigurisht ka pasur mjaft gabime, sidomos në fazën e mbrojtjes, mirëpo marrë parasysh kohën tejet të shkurtë që e patëm për të vendosur sistemin e lojës, me trajnerin e ri, mendoj që mund të jemi  të kënaqur me paraqitjet tona”, ka thënë Morina për Insporti.com.

Ai vlerëson se përcaktuese për fitore ka qenë loja e mirë në sulm. “Sulmi ka qenë ana jonë më e mirë në këto dy ndeshje, topi ka qarkulluar mirë, kemi zhvilluar lojë kolektive dhe kemi shfrytëzuar përparësitë tona ndaj kundërshtarit”, është shprehur Morina.

“Besoj që është vërejtur nga të gjithë se vërtetë kemi luftuar për çdo top dhe kemi pasur dëshirë të madhe për fitore. Kjo edhe e ka bërë dallimin që ndeshjet të përfundojnë në të mirën tonë. Vlen të ceket që përkrahja nga publiku ka qenë tejet e madhe në të dyja ndeshjet dhe pa ndihmën e tyre këto fitore nuk do të ishin të mundura”, ka shtuar Gëzimi i cili me shumë sukses është duke bërë karrierë në Slloveni.

Ai është optimsit se Kosova mund ta kalojë këtë fazë dhe të futet në grupet kualifikuese për Kupën e Botës. “Gjthsesi jam optimst se mund ta kalojmë këtë fazë, por tash për tash nuk jemi duke menduar për këtë.  Ndeshjet e radhës i luajmë si mysafirë ndaj Sllovakisë dhe Islandës dhe  uroj që të gjithë lojtarët në nëntor të jenë të shëndetshëm dhe në formë sa më të mirë.

Presim rikthimin nga lëndimi të Lis Shoshit, që padyshim është njëri prej bartësve të lojës sonë dhe kur të vijë koha të grumbullohemi të përgatitemi sa më mirë në mënyrë që nga ndeshja në ndeshje të japim më të mirën”, ka thënë Morina në fund./Insporti/

-->