Moto GP: Marquez fiton në Argjentinë, por Rossi dhe Dovizioso dhurojnë spektakël

Moto GP 01 Prill 2019 12:09

Marc Marquez i përgjigjet fitores së Andrea Doviziosos në Katar, teksa triumfoi në garën për Çmimin e Madh të Argjentinës, në Botërorin e Moto GP.

Piloti spanjoll i Hondas ishte dominues në pistën ‘Termas de Rio Hondo’, ku së fundmi ka pasur jo pak probleme.

Kampioni në fuqi i botës zhvilloi një garë më vete, pasi e dominoi atë nga fillimi deri në fundin e saj duke siguruar suksesin e tretë të tij në tokën argjentinase.

 

Ndërsa Marquez garonte i qetë në krye, pas tij spektakli nuk mungoi dhe protagonistë u bënë dy italianët Valentino Rossi dhe Andrea Dovizioso, transmeton Top Channel. Piloti i Yamahas doli fitues nga dueli me bashkëkombësin e tij, të cilin e parakaloi në xhiron e fundit, duke u pozicionuar në vendin e dytë pas Marquez, me të cilin shtrëngoi edhe duart pas garës.

Dovizioso me Ducatin e tij u detyrua të kënaqej me vendin e tretë këtë radhë, një pozicion që gjithsesi ka shumë vlera për të në objektivin e tij për titullin botëror.

Pas Doviziosos, në vendin e katërt u rendit Jack Miller, i ndjekur nga piloti i Suzukit, Rins, në të pestin, me këtë të fundit që e nisi garën nga vendi i 16.

Fitorja në garën e Argjentinës i jep mundësinë Marc Marquez të marrë kryesimin në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 45 pikë, katër më shumë sesa Dovizioso në vendin e dytë, ndërkohë që i treti është Valentino Rossi.