Mourinho i del në mbrojtje Paul Pogbas

Futboll 19 Prill 2018 11:06

Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, për të cilit thuhej se nuk ka raporte të mira me lojtarin e tij Paul Pogba, ka ulur tensionet dhe ka shuar spekulimet duke i dal këtij të fundit në mbrojtje, pasi ishte kritikuar dhe cilësuar si i “pasjellshëm” nga ish-futbollisti i “Djajve të Kuq”, Paul Scholes.

Scholes e kishte kritikuar rëndë Pogban për paraqitjet e tij, e sidomos atë të së dilëes, ku me humbjen në shtëpi të United nga West Brom, rivalët e tyre, Manchester City, u shpallën kampion të Premier League edhe zyrtarisht.

Pogba i mbushur nga kritikat, në ndeshjen e mbrëmshme (e mërkurë) që United e zhvilloi kundër Bournemouth dhe e fitoi 2-0, dhuroi një prej paraqitjeve më të mira, teksa asistoi për Lukakun në shënimin e golit të dytë.

Jose Mourinho i pyetur lidhur me kritikat e Paul Scholes për Pogban shtoi: “Nuk pajtohem. Pajtohem vetëm me pjesën se nuk ishte një paraqitje e mirë ajo ndaj West Brom, me këtë mund të pajtohem, por me tjerat jo”.

Portugezi kishte paralajmëruar se, nga ata që u paraqitën në ndeshjen kundër West Brom, do të ketë ndryshime për ndeshjen e mbrëmshme më Bournemouth dhe në fakt e filloi takimin me shtatë lojtarë tjerë në fushë, për dallim me ndeshjen kundër West Bromwich.

Mirëpo, inkuadrimi i Pogbas nga fillimi në përballjen e djeshme, ngriti pikëpyetje se cila do të jetë mesfusha të shtunën, kur Man.United takohet me Tottenham në gjysmëfinale të FA Cup, por Mourinho dha një pasqyrë pozitive për lojtarin e tij më të shtrenjtë.

“Paraqitje e nivelit të lartë. Ishte një paraqitje e nivelit të lartë”, u shpreh Mourinho për Pogban në ndeshjen e fundit.

“E qartë që paraqitja kundër Manchester City ishte e veçantë, duke e përmbysur rezultatin pasi ishim duke humbur me dy gola. Por, kjo paraqitje (kundër Bournemouth), ishte pothuajse e atij niveli të lartë sikur me Cityn, Ishte me të vërtetë paraqitje e mirë, pasi ai (Pogba) është një lojtarë shumë kualitativ”, tha Mourinho.

Megjithatë, duke iu kthyer fitoreve, nuk do të thotë se e ka larguar shijen e keqe që kishte Mourinho për paraqitjen e dobët të lojtarëve të tij në ndeshjen me West Bromwich Albion.

“Fytyra ime përsëri shfaq atë frustrimin që i kisha pas ndeshjes të së dielës (kundër West Brom) dhe jo një fytyrë që tregon se kemi fituar”.

“Ende jam me emocione jo të mira nga humbja e së dielës. Unë e di se si fitohen titujt dhe nëse ndokush nga ju nuk e di, unë kam fituar tetë tituj në katër liga të ndryshme evropiane, ku tre tituj i kam vetëm në Premier League. Nuk kam dyshime për kualitetet që ka Manchester City dhe besoj se në çfarëdo rrethane, ata do ta fitonin titullin sepse janë një ekip më i mirë, por unë mendoj se ne, kemi mundur të kemi 10 pikë më shumë se sa që i kemi për momentin”, përfundoi deklaratën e tij Jose Mourinho para gazetarëve. /Insporti.com

-->