Mourinho e bën “për pesë pare” Barcelonën

Futboll 08 Maj 2019 10:57

Jose Mourinho ka kritikuar ashpër skuadrën e Barcelonës, pasi e shpërdoroi epërsinë 3:0 nga ndeshja e parë.

Në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve, blaugranët u mposhtën thellë, madje duke u turpëruar, me rezultat 4:0 nga Liverpooli në ‘Anfield’.

Mourinho në rolin e analistit në BeIN Sports, është përkujdesur që ta ‘thumbojë’ Barcelonën, por i ka thurur lavde Kloppit.

“E përsëris, mendoj se Jurgeni ka meritat më të mëdha për këtë arritje shkaku i personalitetit dhe mentalitetit fantastik të tij”, tha Mourinho.

“Ekipi ishte aty, ekipi besoi dhe siç e diskutuam në pushim të pjesës së parë, goli i dytë do të krijonte një atmosferë shumë të vështirë për Barcelonën që t’i mbijetonte”.

“Nëse shikoni atë gol të pranuar në një ndeshje të grumposhave U14 apo U15 ju do të thonit ‘fëmijët po flenë në fushë, fëmijët nuk kanë mentalitet që të luajnë futboll, ata duhet të mësojnë gjërat bazike rreth futbollit’. Por po flasim për lojtarët më të mirë në botë”, shtoi Mourinho.

Tutje, portugezi tha se katalanasit më këtë ndeshje pësuan një kolaps total.

“Por, kur shihni një rezultat të tillë ju duhet të flisni për një kolaps, dhe Barcelona totalisht kolapsoi”, përfundoi Mourinho. /Insporti.com/