Mourinho i ashpër ndaj Gjermanisë

Se do të kishte befasi në këtë Kampionat Botëror, atë askush nuk e mohonte, pasi tek e fundit futbolli është një lojë e paparashikueshme, mirëpo pak kush ka pritur që kampionët aktual të botës, Gjermania, do ta nisin aventurën e tyre në Rusi, ashtu si e nisën, me humbje nga Meksika.
Njëri ndër trajnerët më të mirë në botë, i cili gjatë këtij botërori është edhe në rolin e analistit në “RT”, Jose Mourinho, ka pasur fjalë të ashpra për paraqitjen e gjermanëve.
Mourinho, përgëzoi Meksikën për paraqitjen dhe fitoren e tyre, duke thënë se ishte skuadër më e mirë në fushë, derisa portugezi për përfaqësuesen e Gjermanisë, deklaroi se e meritoi humbjen me atë çfarë treguan në fushë.
“Njëra skuadër ishte me të vërtetë shumë e mirë, e fuqishme dhe e përkushtuar, pasi po e dëshironte fitoren më shumë dhe luante në limitet e saj. Kurse, skuadra tjetër ishte shumë e dobët, e parashikueshme, nuk kishte entuziazmin dhe ashpërsinë e duhur”, tha Mourinho.
Megjithët, “I Veçanti” mendon se grupi i Gjermanisë është goxha i lehtë dhe gjermanët do ta kalojnë grupin pa ndonjë problem në fund.
“Gjermania do të kualifikohet dhe në fund përsëri do ta shohim skuadrën gjermane në çerekfinale, e me siguri edhe në gjysmëfinale ose edhe në finale, por sot ishin shumë skuadër e dobët”, deklaroi në fund portugezi, duke buzëqeshur.
“Die Mannschaft”, pas ndeshjes së parë në grupin F mbeten pa pikë, kurse Meksika momentalisht prinë me 3 pikë në këtë grup. Ndeshja tjetër e grupit F, në mes Suedisë dhe Koresë së Jugut, zhvillohet sot me fillim në ora 14:00 në stadiumin “Nizhny Novgorod”. /Insporti.com