Mourinho i vendosur: Kjo dua të ndodhë me sezonin e Premierligës

Futboll 30 Prill 2020 10:16

Jose Mourinho ka thënë se dëshiron që sezoni i Premierligës të rifillojë, pasi që “është më mirë për të gjithë”.

Trajneri portugez, duke folur për Sky Sports, ka thënë se po i mungon futbolli dhe se sezoni i Premierligës duhet të përfundohet, transmeton Insporti

Së fundmi, ai ka ndihmuar klubin londinez që t’u dhurojë familjeve në nevojë ushqim dhe perime të freskëta, të kultivuara në qendrën stërvitore të Tottenhamit.

Mourinho ka dalë vullnetar që këto ushqime të freskëta t’i dërgojë nga qendra stërvitore në stadiumin e klubit, aty ku më pas u ndahet komunitetit lokal të identifikuar si më së shumti në nevojë, në kohën e pandemisë së COVID-19.

“Më mungon futbolli”, ka thënë Mourinho për Sky Sports News, teksa kanë kaluar shtatë javë prej se kur e ka drejtuar ekipin e tij në një ndeshje të fundit.

“Por preferoj të them se më mungon bota jonë, ashtu siç mendoj u mungon të gjithëve. Futbolli është thjesht pjesë e botës time. Por duhet të jemi të durueshëm, kjo është luftë të cilën të gjithë duhet ta luftojmë”.

Futbolli në Angli vazhdon të jetë i pezulluar deri në një kohë të pacaktuar, por Mourinho beson se ka një “dritë në fund të tunelit” për rikthimin.

Premierliga do të mbajë bisedime të mëtutjeshme këtë javë derisa synon që futbolli [prapa dyerve të mbyllura] të kthehet në qershor. Sporti do të rifillojë vetëm pasi që qeveria të jetë e kënaqur me masat që janë në zbatim.

“Nëse luajmë nëntë ndeshjet e mbetura këtë sezon do të jetë gjë e mirë për të gjithë ne. Do të jetë e mirë për futbollin, për Premierligën”, ka shtuar Mourinho.

“Nëse luajmë prapa dyerve të mbyllura, dua të besoj se futbolli kurrë nuk është prapa dyerve të mbyllura. Me kamerat në stadium, do të thotë se miliona njerëz po shikojnë. Kështu që nëse një ditë futemi në stadium të zbrazët, ai në të vërtetë nuk do të jetë i zbrazët”. /Insporti.com/

-->