Mourinho për Ronaldon, Messin e Portugalinë në Botëror

Futboll 08 Maj 2018 15:38

Vetëm edhe 37 ditë kanë mbetur deri në fillimin e ngjarjes më të madhe të futbollit, Kampionatin Botëror që këtë vit zhvillohet në Rusi nga 14 qershori e deri më 15 korrik.

Njëri prej trajnerëve më në zë, Jose Mourinho, i cili do të jetë pjesë e Kupës së Botës në cilësinë e analistit, në një intervistë që ka dhënë së fundmi për “ESPN Brazil”, ndër të tjera ka deklaruar se po e pret me padurim fillimit e këtij kompeticioni.

Normalisht se Mourinho do të përkrah vendin e tij, Portugalinë në këtë Botëror, nga e cila pret që do të shfaq potencialin e saj maksimal dhe trajneri i Manchester United, beson se me Cristiano Ronaldon në radhët e tyre, portugezët kanë gjasa reale që të triumfojnë.

“Portugalia ka një skuadër interesante dhe pa Cristianon do të ishte e pamundur të tregonin diçka më shumë. Mirëpo, duke e pasur atë në ekip, atëherë unë mendoj se gjithçka është e mundur”, tha Mourinho.

Në anën tjetër lidhur me Argjentinën, tekniku i “Djajve të Kuq” tha: “Unë besoj se Përfaqësuesja e Argjentinës pa Lionel Messin, nuk do të llogaritej si favorite, por me të në përbërje, është pa dyshim njëra nga favoritet kryesore”.

“I Veçanti”, pati disa fjalë edhe për dy përfaqësueset tjera latine, Brazilin dhe Spanjën, ku për “Seleçaon” deklaroi se i pëlqen struktura që ekipi ka, në aspektin taktik dhe psikik. Ai mendon se Brazili ka një përbërje të futbollistëve që janë talent të lindur dhe është një grup lojtarësh që dinë të mbrohen mirë, nuk pranojnë shumë gola dhe pastaj në sulm me lojtarë si, Willian, Neymar, Coutinho e Gabriel Jesus.

Jose Mourinho nuk e fsheh mendimin e tij që ka për Spanjën, duke thënë se i sheh si Përfaqësuesen më të mirë në Kupën e Botës.

“Mendoj se Spanja përsëri ka një skuadër shumë të kompletuar dhe kanë arritur të mbledhin brenda ekipit një grup lojtarësh që kanë një filozofi të njëjtë loje. Do të thosha se, Spanja është në një pozitë më të mirë se çdo kombëtare tjetër nga Evropa, por do të presim e të shohim. Pres që do të jetë një kampionat shumë interesant dhe personalisht do jem edhe unë në Rusi, ku rreth një javë do t’i përcjell disa ndeshje dhe pastaj kam nevojë për pak pushim”, deklaroi në intervistën e tij, Jose Mourinho. /Insporti.com

-->